Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn

Gripi afrikan i derrave: Fushata është shtrirë në shtete të reja, ndër to edhe Kosova

EFSA (Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore) po rrit përpjekjet e saj për të ndaluar përhapjen e gripit afrikan të derrave në Evropë duke zgjeruar fushatën e saj në nëntë shtete të tjera.

Verën e kaluar, EFSA nisi një fushatë të madhe për të rritur ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes në Evropën Jug-Lindore. Fushata u krye në partneritet me autoritetet vendore në shtetet që përbëjnë “rajon shqetësimi” — Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Greqi, Kosovë, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbi dhe Slloveni — për shkak të afërsisë së tyre me shtetet ku ASF është i pranishëm.

EFSA po e shtrin tashmë fushatën – synuar kryesisht për fermerët – në Bullgari, Republikën Çeke, Lituani, Letoni, Poloni, Sllovaki, Estoni, Hungari dhe Rumani.

Nikolaus Kriz, kryetari i Njësisë së Shëndetit të Kafshëve dhe Bimëve të EFSA-së, tha: “Si një organizatë shkencore, ne jemi duke punuar në mënyrë të palodhshme për të prodhuar vlerësime dhe për të bërë rekomandime që mund të ndihmojnë shtetet e kërcënuara nga gripi afrikan i derrave për të mbrojtur kafshët dhe ekonominë e tyre.

“Vitin e kaluar ne vendosëm të zbatonim shkencën tonë në terren dhe të tregonim se EFSA-ja është e përkushtuar për të ndihmuar fermerët dhe personat e tjerë që jetojnë në hijen e kësaj sëmundjeje të tmerrshme. Fushata u prit mirë në valën e parë të shteteve dhe tani ne po shkojmë më tej me mesazhin tonë për të zbuluar, parandaluar dhe raportuar.”

Fushata plotëson përpjekjet e vazhdueshme të Komisionit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që synojnë asgjësimin e sëmundjes në Evropë.

Çfarë është gripi afrikan i derrave?

Gripi afrikan i derrave (ASF) është një sëmundje virale që prek derrat e butë dhe derrat e egër. Virusi është i padëmshëm për njerëzit, por ka shkaktuar përçarje të konsiderueshme ekonomike në shumë shtete. Nuk ka vaksina, kështu që një përhapje mund të kërkojë therjen e një numri të madh të derrave të mbajtur në fermë në zonat e prekura.

Objektivat dhe audiencat

Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe njohjen e ASF-së në të 18 shtetet dhe është e synuar për grupe njerëzish dhe individësh që janë në kontakt me derra të butë dhe derra të egër, veçanërisht fermerët e derrave. Ajo po zbatohet me ndihmën e paçmuar të organizatave veterinare vendore, grupeve të fermerëve, shoqatave të gjuetisë, policisë kufitare dhe organeve të tjera përkatëse.

Zbulo, parandalo, raporto

Duke qenë se përhapja e ASF-së mund të ketë pasoja shkatërruese, zbulimi, parandalimi dhe raportimi janë elementet kyçe nëse duam ta frenojmë këtë sëmundje. Këto janë fjalët kyçe të fushatës.

Ne do të ndajmë fletët e fakteve, grafikë informues, postimet e gatshme për përdorim në rrjete sociale dhe materiale të tjera.

Zbuloni më shumë në faqen e internetit të fushatës:  https://efsa.gitlab.io/multimedia/asf/index.html#/al/ 

Shiko me shume