Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn

Cowell mund ta ribashkojë grupin “One Direction”

Ata nuk kanë kënduar të gjithë së bashku qyshkur Zayn Malik ka dalë nga grupi më 2015. Por Simon Cowell ka deklaruar se mund ta ribashkojë grupin “One Direction”, nëse mund t’i sjellë të gjithë në një vend. Personaliteti televiziv, që e kishte krijuar grupin në “X Factor”, para 11 vjetësh, ka thënë se nuk e di se cili prej anëtarëve po ngurron që të ribashkohen, por beson se do të mund t’i bindte.

Simon ka thënë për “Mirror”: “Mendoj se do të ndodhë. Nëse bashkohen, qoftë për të bërë muzikë apo për turne, do të ishte e mrekullueshme”.

Pasi Zayn Malik u largua nga grupi më 2015, anëtarët e mbetur, Harry Styles, Niall Horan, Liam Payne dhe Louis Tomlinson e bënë albumin e pestë, para se të njoftonin ndarjen e grupit më 2016.

Komentet e Simonit vijnë pasi është bërë e ditur se do t’i rikthehet ekranit televiziv me një emision muzikor, “Walk The Line”, 10 muaj pas aksidentit me biçikletë elektrike.

Personazhi i shquar muzikor ishte detyruar që të largohej nga “Britain’s Got Talent” vitin e kaluar, pas aksidentit që pati, ku e kishte thyer shpinën. Por Simon do të rikthehet përsëri, mirëpo këtë herë si kryesues i një paneli gjykues në një emision të ri muzikor.

“The Daily Star” ka raportuar se në këtë emision këngëtarët do të performojnë para jurisë për ta fituar një çmim monetar. Dy më të mirët e natës do të pyeten nëse duan të shkojnë në shtëpi me një shumë parash në xhep apo duan ta vazhdojnë garën për ta fituar çmimin kryesor.

Nëse zgjedhin që të vazhdojnë, do të duhet të garojnë kundër këngëtarëve të tjerë dhe mund ta kenë fatin për ta fituar çmimin e parë.

Çmimi i parë rritet sa më shumë që garuesi është në emision, kështu që garuesit duhet të vendosin nëse duan të shkojnë në shtëpi me një shumë parash apo duan ta fitojnë çmimin e parë.

Emisioni do të jetë bashkëprodhim i kompanisë së Simonit, “Syco Entertainment”, dhe kompanisë “Lifted Entertainment”.

Shiko me shume